Instituti për Kritikë dhe Emancipim Shoqëror

Reformat liberale në arsim dhe përpjekjet studentore për arsim publik falas

Libërthi që keni përpara jush është pasqyrim i disa prej ligjëratave të mbajtura nga delegatët e organizatave studentore rajonale në konferencën “Përpjekjet studentore për arsim publik falas” të organizuar nga Instituti për Kritikë dhe Emancipim Shoqëror me mbështetjen e Olof Palme International Center. Ky publikim përmban kontribute të rëndësishme studimore dhe praktike të aktivistëve të organizatave studentore nga rajoni, të cilat përcjellin një dëshmi tepër të vyer të betejave të shumta studentore kundër reformave neoliberale në arsimin e lartë dhe përpjekjeve për autonomi e liri universitare. Përpjekje të shumta janë bërë ndër vite për arsim publik falas, cilësor, të pakushtëzuar nga burokracia universitare dhe ajo shtetërore, e mbi të gjitha të pavarur nga logjika tjetërsuese e tregut dhe e kapitalit. Tematikat e punimeve të ndryshme që do të trajtohen në këtë libërth janë: reforma neoliberale në arsimin e lartë në Shqipëri; tentativat e njëpasnjëshme të qeverive maqedonase për të shtypur autonominë universitare; ndryshimet graduale të legjislacionit dhe strategjitë e qeverive për tërheqjen e shtetit nga fi nancimi i arsimit të lartë në Serbi; kapja e universitetit nga logjika tregtarizuese dhe futja e nocionit të vetëfi nancimit në Greqi, etj. Perspektiva e lëvizjeve studentore rajonale, në kushtet e një sulmi të pandalshëm dhe shumëpërmasor ndaj universitetit, duhet të jetë ajo e organizimit dhe e ndërtimit të një fronti të përbashkët rezistence kundër reformave neoliberale. Pasqyrimi i referencave rajonale në konferencat studentore të organizuara në Lubjanë, Shkup, Tiranë dhe dokumentimi i tyre në këtë libërth, së bashku me ndërveprimin e vazhdueshëm, përbëjnë një hap të rëndësishëm në përvijimin e një beteje të përbashkët studentore. Qëllimi i këtij publikimi, në këtë aspekt, është njohja e gjendjes aktuale e arsimit të lartë në disa vende të rajonit dhe e përpjekjeve të shumta studentore për t’i rezistuar proceseve të ndryshme reformuese, synimi i të cilave është futja e logjikës së tregut, tërheqja e shtetit nga fi nancimi i arsimit publik dhe zvogëlimi i autonomisë universitare.

Reformat Neoliberale ne Arsimin e Larte