Instituti për Kritikë dhe Emancipim Shoqëror

MANIFESTI I LËVIZJES PËR UNIVERSITETIN

logo-levizja-per-universitetin-lpuDija s’mund të shtetëzohet dhe as të privatizohet. Përftimi i saj përmes arsimimit është e drejtë themelore shoqërore. Sot na duhet të jemi realistë: të kërkojmë Arsim Publik Falas!

Ne nuk mund të heqim dorë prej Universitetit Publik, pasi është institucioni i cili ka për qëllim themeltar zhvillimin intelektual, shkencor dhe mendimin kritik të studentëve, jo përfitimin e pronarëve dhe pushtetarëve. Ai mbart potencialin e një agore ku gjithkush i gjen dyert të hapura dhe nuk ka nevojë të hyjë në borxhe për të kaluar pragun.

Ai do duhej të ishte shtëpia e atyre që nuk tremben të ndjekin rrugën e vështirë të shkencës drejt formimit të intelektualit organik, qendra e arsyes kritike, pararoja e inovacionit teknologjik, vatra e ideve emancipuese dhe e rezistencës ndaj padrejtësive sociale, shembulli i zbatimit të demokracisë së drejtpërdrejtë, transparencës dhe gjithëpërfshirjes edhe në sferën politike.
Përkundrazi, ai është kthyer në pasqyrimin e fytyrës vulgare të politikës, si vatër nepotizmi me drejtues-bajraktarë që riciklohen në sistem duke ia pasuar karrigen njëri-tjetrit, shqetësimi i fundit i të cilëve është cilësia e mësimdhënies dhe punës shkencore, lere më pastaj kultura e emancipimit.

Detyra e Universitetit është të zhvillojë fakultetet e mendimit te studentët, jo t’u nënshtrohet zinxhirëve kolonizues të tregut, i cili nuk prodhon më as punësim dinjitoz e as begati.

REFORMA

Në vend që t’i kanalizonin fondet e taksapaguesve drejt ndreqjes së problemeve shoqërore, qeveritë pasojnë njëra-tjetrën duke propozuar një reformë e cila e shndërron mënyrën e funksionimit të Universitetit Publik në një biznes privat që do duhet t’i sigurojë të ardhurat përmes komercializimit, ndërkohë që shteti financon me paratë e popullit universitetet private.
Në vend që të reformohet mënyra e qeverisjes dhe modeli i zhvillimit ekonomik nga kontributet e universitarëve, reformohet jeta universitare nga burokracia shtetërore dhe lobizmi privat.
Në vend që të taksohen oligarkët dhe korporatat për të financuar shërbimet publike si arsimi universitar, diplomoreve private u është hequr taksa mbi vlerën e shtuar në një vend ku qytetari tatohet 20% edhe kur blen bukë.

Në vend se të themelohet dhe përforcohet një raport barazimtar bashkëpunimi student-pedagog i ngritur mbi qëllimin e përbashkët që është dijesimi i dyanshëm, reforma e ndërvar rrogën e pedagogut nga tarifat e studentëve.
Në vend se të vlerësohet merita në punën shkencore, reforma e bën të pamundur vlerësimin e paanshëm nga ana e pedagogut në kushtet ku studenti ka paguar me mijëra euro në vit, për të cilat ka një kredi studentore për të shlyer.

Kjo reformë nuk u jep zgjidhje problemeve aktuale që ka Universiteti Publik dhe studenti:

• Reforma nuk i jep përgjigjen e duhur problemit të kontrollit të munguar të cilësisë në mësimdhënie dhe punë shkencore kërkimore. Mekanizmat e propozuar janë kundërproduktivë. Ajo kthen të vetmin mekanizëm kontrolli aktual, anketimin e opinioneve studentore, në mjet vetëreklamimi, pasi e lidh atë me renditjen e institucioneve publike dhe private nga ku varen fondet që institucioni fiton nga shteti e, rrjedhimisht, varen edhe tarifat vjetore që do paguajë. Pra studenti do të jetë i interesuar të gënjejë, t’i bëjë reklamë universitetit të vet, me shpresën se kështu do t’i ulen tarifat. Nga ana tjetër, reforma krijon agjenci qeveritare të varura nga tekat e pushtetarëve të cilat do të përcaktojnë nga lart kriteret e cilësisë së kërkimit shkencor dhe renditjen e universiteteve mbi bazën e tyre.

• Reforma nuk përmend se ç’do të bëhet me gjendjen skandaloze të teksteve mësimore dhe me rrëmujën e kurrikulave të studimit. Nuk përmend as se si do të luftohet praktika ku pedagogu e shantazhon studentin për blerjen e librit të tij. Nga rrëmuja me kurrikulat reforma sjell orientimin e tyre sipas kërkesave të tregut të reklamave për të tërhequr sa më shumë financime, por edhe studentë të topitur.

• Reforma nuk përmend se si do të tejkalohen kushtet e vështira të jetesës së studentëve nëpër konvikte, që po privatizohen dita-ditës, dhe si do të sigurohet financiarisht mbijetesa e studentit. Për dhomën e konviktit, studenti paguan për metër katror më shumë sesa në zonat luksoze të Tiranës dhe ka të drejtën e një sipërfaqeje më të vogël se në bunkerët e diktaturës për raste lufte.

• Reforma nuk përmend se si do të bëhen funksionale bibliotekat universitare dhe laboratorët shkencorë të amortizuar prej dekadash.

• Reforma nuk përmend se si do të sigurohen praktikat profesionale të studentëve për të krijuar eksperiencën e domosdoshme për tregun e punës.

FINANCIMI

Nëpërmjet kësaj reforme, shteti deklaron falimentin para arsimit të lartë, duke pranuar se nuk ka ndër mend ta rrisë buxhetin për të. Në vend të rritjes së financimit për universitetet publike, qeveria kërkon të rrisë numrin e institucioneve të financuara (duke futur privatët brenda), çka do të ulë mesatarisht nivelin e financimit për çdo universitet, duke e rritur edhe më barrën e tarifave për studentët.

• Do të financohen universitetet private drejtpërdrejt në kërkimin shkencor dhe me bursat e ekselencës. Këto të fundit mund t’i nxisin universitetet që në kushte konkurrence, për të përfituar fonde, të premtojnë nota të larta.

• Do të financohen universitetet private tërthorazi, përmes kamuflimit nën emrin e ‘universiteteve publike të pavarura’. Kjo hallkë e ndërmjetme midis universiteteve publike dhe private u jep mundësi universiteteve private që, në kushte mungese të theksuar kontrolli ligjshmërie, të kenë të njëjtat të drejta për të konkurruar për të gjitha fondet shtetërore që u shkojnë universiteteve publike.

• Konkurrenca financiare mes universiteteve publike dhe atyre private do të sjellë rritjen e tarifave të studimit drejt vlerës që imponon tregu, çdo vit mesatarisht me mbi 100 euro. Kësisoj jeta universitare do të kthehet përfundimisht në luks të cilin do të mund ta përballojnë vetëm shtresat e privilegjuara dhe të paprivilegjuarit mjaftueshëm aventurierë për të hyrë në borxhe.

• Kjo do t’i shtyjë studentët drejt kredive studentore, çka do të thotë se studentët do të akumulojnë një borxh që do ta mbartin për një kohë të gjatë në jetën e tyre profesionale. Diçka e tillë bëhet edhe më e rëndë në kushtet e papunësisë së madhe rinore. Qeveria do të financojë indirekt edhe bankat private duke dalë garante e pagesës së borxhit. Sikur interesat që do t’u paguante këtyre bankave t’i hidhte drejtpërdrejt në arsimin publik, cilësia e këtij të fundit do të rritej.

• Rritjes edhe më të madhe të tarifave, qeveria premton se do t’i përgjigjet duke dhënë bursa për studentët e varfër. Mirëpo pa përkufizuar pragun e varfërisë, një premtim i tillë është spekulativ. Nëse do të financoheshin të gjithë studentët që janë relativisht në nevojë, shkollimi universitar do të duhej të ishte falas për pjesën dërrmuese të tyre. Nëse bursat u premtohen vetëm studentëve në varfëri të skajshme, atëherë prej tyre do të përfitojë pakkush ose askush meqenëse të tillë të varfër shtrëngohen ta lënë shkollën shumë më përpara se të mbushin moshën për universitet.

• Buxheti i shtetit do të financojë më pak ato fakultete që renditen më poshtë, çka do t’i detyrojë fakultetet me cilësi më të dobët të vendosin tarifa më të larta për të mbijetuar. Kjo do të sjellë falimentimin e tyre, pavarësisht nëse mirëfunksionimi dhe garantimi i cilësisë së tyre është në të mirën e mbarë shoqërisë (p.sh. shkencat humane, gjeologji-minierat, artet). Në të kundërt, për të mbijetuar, do të kthehen në “qendra komerciale”.

• Kushtëzimi i financimit të universiteteve publike nga matja e cilësisë (jo vetëm të kërkimit shkencor, por edhe të mësimdhënies), mund t’i shtyjë studentët si vlerësues të mësimdhënies të gënjejnë në pyetësorë duke pasur parasysh faktin se sa më mirë të dalë universiteti i tyre në renditje, aq më shumë fonde shtetërore do të përfitojë; rrjedhimisht aq më e ulët do të jetë tarifa e studimit. Kësisoj e ardhmja e universiteteve publike do të jetë e tashmja e universiteteve private: Mburrje dhe reklamim agresiv në vend të vetëkritikës.

• Ulja e pritshme e financimit shtetëror për universitetet publike (nga konkurrenca e privatëve dhe “publikeve të pavarura”) do të kërkojë ristrukturimin e tyre në ndërmarrje me karakter gjithnjë e më të madh tregtar. Për të mbijetuar dhe rritur të ardhurat e tyre, universitetet publike do të shtrëngohen jo vetëm të komercializojnë kërkimin shkencor dhe kurrikulat, por edhe të kryejnë veprimtari fitimprurëse jashtakademike si reklamat, dhënia me qira e mjediseve etj.

BUROKRATIZIMI

Bordi Administrativ është një strukturë administrative që i mbivendoset universitetit. Ai do të përbejë de facto pronarët e universiteteve në bazë të konceptit të pronësisë së qartë, ku universiteti, qeveria qendrore apo qeveria lokale, të cilat mund të investojnë në një universitet, duhet të përfaqësohen në përpjesëtim të drejtë me shumën e investuar. Në qoftë se investimi i qeverisë qendrore është në masën 70%, atëherë ajo do të këtë përfaqësues në masën 70% në këtë bord.

Kontrolli qeveritar mbi shumicën e Bordit të Administrimit do të vazhdojë deri kur universiteti publik të jetë tregtarizuar mjaftueshëm për ta nxjerrë vetë shumicën e të ardhurave. Bordi ka fuqi vetoje për krejt financimin dhe një pjesë të konsiderueshme të administrimit të jetës universitare publike, duke shërbyer si zgjatim i qeverisë. Ky bord qeveritar do t’u heqë universiteteve publike mundësinë për t’i rezistuar botës së pushtetit dhe parasë, duke i kthyer pedagogët në vartës qeverish dhe riprodhues besnikë të politikave që shkatërrojnë idenë emancipuese të universitetit.

Universitetet do të kthehen rripa transmisioni të politikave qeveritare. Duke krijuar agjenci burokratike, të varura dhe të shkarkueshme nga qeveria, të cilat do të vlerësojnë cilësinë e kërkimit shkencor, të njëjtët burokratë dhe pushtetarë do të kenë në kontroll procesin e vlerësimit të kërkimit shkencor, prej të cilit varet edhe financimi i universiteteve publike e private.
Kësisoj, idesë dhe praktikës së universiteteve publike, përveç rrënimit konceptualo-emancipues, varfërimit dhe mjerimit financiar, do t’u shtohet edhe robërimi i drejtpërdrejtë partiak.

TË DREJTAT STUDENTORE

Duke ditur se si pjesa më e madhe e trupës pedagogjike është në raport patronalo-klientelist me burokracinë sunduese brendauniverstare, e vetmja mundësi e ruajtjes së demokracisë universitare ka qenë radikalizmi i saj: zgjerimi, jo rrudhja, e të drejtave zgjedhore studentore, sipas parimit: sa më e gjerë trupa votuese, aq më e pakompromentueshme ajo.
Në kushtet e një mjedisi universitar të kapur me frikë e miklime, rezistenca bazohet kryesisht te studentët. Por në vend që të rriste pjesëmarrjen studentore, qeveria po e kufizon atë duke riprodhuar bajraktarizmin nga rektori e poshtë dhe autoritarizmin nga qeveria te rektori.

Studentët, si të vetmet subjekte me potencial transformues të jetës universitare, po përjashtohen nga vendimmarrja brenda universitetit, duke i lënë atyre shifrën e papërfillshme prej 10% në zgjedhjet universitare, nga 20% që ishte përcaktuar në ligjin e vjetër. Kjo i përshtatet logjikës së modelit të biznesit privat sipas së cilit do funksionojë universiteti, ku roli i studentit është i ngjashëm me atë të një klienti i cili ka të drejtë të zgjedhë ku të shpenzojë paratë, por jo se kush dhe si do ta drejtojë institucionin, si do të hartohen kurrikulat e studimit, si do shfrytëzohen hapësirat universitare etj.

KUSH DO TA SJELLË NDRYSHIMIN?

Studentët dhe familjarët e tyre vihen përballë zgjedhjes: një universitet privat, i cili kriter pranimi ka thellësinë e xhepit të studentit dhe aspak vullnetin e tij për të studiuar, apo një universitet publik me traditë në cilësi por që përditë po degradon, ndërkohë që paradoksalisht detyrohet të rrisë tarifat për të konkurruar me privatin?

Pedagogët vihen përballë zgjedhjes: një universitet privat, i cili siguron paga më të larta por kontingjent studentësh nën mesataren dhe disiplinë të hekurt sa i përket interesave financiare të pronarit, apo një universitet publik ku lejohet ende liria akademike dhe parimi i kritikës ndaj drejtuesve dhe cilësisë, por në rrugë e sipër drejt komercializimit?

Nuk mund të lejojmë shkatërrimin gradual të një të drejte themelore shoqërore drejt tjetërsimit komercializues dhe tarifave stratosferike. Duhet të bashkojmë energjitë dhe vullnetet për të projektuar universitetin që duam. Është në interesin tonë të përbashkët të rithemelojmë universitetin, studentë dhe pedagogë të bashkuar nën një emër: Universitarë.

Universitarë, por jo vetëm. Gjimnazistë që do të na bashkohen vit pas viti, familjarë që kërkojnë një të ardhme dinjitoze për fëmijët e tyre pa sakrifikuar kursimet e një jete, shtresa shoqërore të këputura që presin zgjidhje të problemeve shoqërore, qytetarë që kërkojnë të jetojnë në një shoqëri më të mirë e të drejtë. Të gjithë të bashkuar rreth një ideje radikale dhe të realizueshme: Arsim publik falas, cilësor dhe transparent për të gjithë ata që janë gati t’i përkushtohen shkencës.

Ç’DUHET BËRË?

Duhet ndryshuar drejtim! Duhet të reagojmë!
Ideja jonë e Universitetit është ajo e një të mire publike, të pavarur nga “emergjencat” e qeverive dhe nga krizat ciklike të biznesit. Universiteti nuk është as fabrikë dhe as administratë shtetërore. Dija dhe arsimi janë e drejtë themelore shoqërore. Universiteti që aspirojmë është një institucion publik i financuar kryekëput nga buxheti i shtetit, por me një organizim të brendshëm të pavarur, ku vendimmarrja është mes studentësh dhe pedagogësh. Arsimi është një investim shoqëror, jo një sakrificë individuale.

Prandaj kërkojmë materializimin e kushteve që u mundësojnë universitarëve të kryejnë detyrën e tyre shkencore dhe shoqërore.
Ne kërkojmë universitete me hapësira të lira, konvikte falas dhe mensa publike. Vetëm kur të jemi të çliruar nga çështjet e mbijetesës dhe të qenit konsumatorë, do të mund të zhvillojmë lirisht arsyen njerëzore.

Të kthehet Universiteti në një banesë ku jetohet përmes të menduarit kolektiv. Të çelen e të çlirohen hapësira të zaptuara dhe të pavarësohen brenda fakulteteve. Hapësira të tilla janë të domosdoshme për leximet kolektive, leksionet e hapura, tryezat publike, konferencat studentore dhe organizimet e protestave. Vetëm përmes zotërimit të një hapësire të lirë brenda universiteteve, mund të arrihet solidariteti dhe organizimi midis studentëve. Përkushtimi ndaj Universitetit arrihet në bashkëpunim barazimtar me pedagogët dhe në rezistencë nga sulmet e aktorëve të jashtëm, qofshin këto aktorë shtetarë apo tregtarë, apo të brendshëm, si për shembull burokracia brendauniversitare.

PRIORITETET tona afatshkurtra janë:

a) Ngrirja e tarifave të studimit për çdo fakultet.
b) Ushtrimi i presionit ndaj qeverisë dhe ministrisë, nëpërmjet formave të ndryshme të rezistencës, për ndërhyrjen ndaj nevojave emergjente që ka universiteti publik.
c) Kundërshtimi dhe rezistenca ndaj çdo tendence komercializimi të hapësirave universitare.
d) Denoncimi i pedagogëve dhe drejtuesve që abuzojnë me të drejtat studentore.
e) Rigjallërimi i jetës studentore nga aktivitete kulturore-shkencore që organizohen nga vetë studentët.
Qëllimet tona afatmesme janë:
a) Ulja progresive e tarifave të studimit drejt arsimit falas.
b) Përfshirja e gjerë studentore në vendimmarrje dhe zgjedhje në masën 50%.
c) Rritja e buxhetit të shtetit për arsimin publik dhe transparencë në shpenzimin e tij.
d) Aplikimi i transparencës, ndershmërisë akademike dhe të drejtës për akses në njohuri nëpërmjet publikimit online të një pjese të leksioneve dhe punimeve shkencore të stafit pedagogjik.

ZOTIMI YNË

U bëjmë thirrje të gjithë universitarëve të sotëm dhe të ardhshëm – pedagogëve dhe studentëve të çdo fakulteti e gjimnazi – të na bashkohen duke dhënë kontributin e tyre drejt vizionit tonë të përbashkët për universitetin që duam:

• Një universitet publik ku cilësia e shkollimit dhe e kërkimit shkencor garantohet nga kontributi financiar i mbarë shoqërisë, sepse një arkitekt, doktor, filozof, artist më shumë i shërben gjithë shoqërisë, jo vetëm individit;

• Një universitet publik ku kriter pranimi dhe avancimi nuk është mundësia ekonomike por mprehtësia e mendjes dhe vendosmëria e vullnetit;

• Një universitet publik që është i gjithi në funksion të dijes kritike, jo të përthithjes së financimeve nëpërmjet komercializimit;

• Një universitet publik ku studentët janë faktor vendimtar në drejtimin e jetës universitare, nëpërmjet përfshirjes intensive në strukturat vendimmarrëse universitare. Ku studentët zgjedhin barazisht me pedagogët rektorët dhe dekanët e, për rrjedhojë, këta të fundit kanë detyrimin t’u japin llogari për mënyrën e ushtrimit të detyrës.

• Një universitet publik ku drejtuesit të kenë detyrimin të raportojnë dhe të mbajnë shënim kritikat e asambleve të pedagogëve dhe studentëve disa herë në vit. Këta të fundit duhet të kenë të drejtën që t’ua revokojnë përpara afatit mandatin drejtuesve të zgjedhur.

• Një universitet publik ku pedagogët dhe studentët kanë të drejtën dhe detyrën të mbajnë një raport kritik ndaj universitetit ku bëjnë pjesë, jo të detyrohen të dalin nëpër media për ta reklamuar si të ishte qebaptore;

• Një universitet publik ku pedagogët dhe studentët ndërtojnë marrëdhënie barazimtare, të solidaritetit dhe kritikës reciproke konstruktive;

• Një universitet publik ku hapësirat universitare shfrytëzohen nga studentët me iniciativën e tyre.

• Një universitet publik ku respektohet pavarësia nga qeveria dhe lobistët privatë, ndërkohë që përforcohet ndërvarësia nga shoqëria (grupet e organizuara të saj).

PËR UNIVERSITETIN! PËR SHOQËRINË!