Instituti për Kritikë dhe Emancipim Shoqëror

Punëtorët e qendrave të kontaktit themelojnë sindikatën e parë të sektorit të tyre

Punëtorët e qendrave të kontaktit themelojnë sindikatën e parë të sektorit të tyre
• Sindikata synon të përfaqësojë 30,000 punëtorët e qendrave të kontaktit, një prej sektorëve me zhvillimin më të shpejtë në tregun shqiptar.
• Në aktin e themelimit të sindikatës punëtorëve që ofrojnë shërbime klientësh për kompanitë Amazon, Apple dhe Lottomatica në tregun italian, iu bashkuan përfaqësuesit e sindikatave italiane të telekomunikimit.
• Ky hap përpara është në vazhdën e përpjekjeve për ringjalljen sindikaliste në Evropën Qendrore.
Tiranë, më 18 shkurt – Punëtorët e qendrave të kontaktit në Shqipëri – të cilët ofrojnë shërbime klientësh për disa nga kompanitë më të mëdha në botë – kanë themeluar të parën sindikatë të sektorit të tyre dhe një nga të parat sindikata të reja të dy dekadave të fundit.
Sindikata Kombëtare i Qendrave të Kontaktit “Solidariteti”, synon të përfaqësojë 30,000 punëtorët e qendrave të kontaktit, të cilat në Shqipëri funksionojnë kryesisht për tregun italian.
Mbrëmë punëtorët zhvilluan asamblenë themeluese të sindikatës dhe sot dorëzuan dokumentet e njohjes ligjore të saj. Qendrat e kontaktit po e zgjerojnë shtrirjen e tyre në ekonominë shqiptare. Llogaritet se 7% e forcës punëtore formale është e punësuar në qendrat e kontaktit me bazë gjuhën italiane.
“Ne jemi zëri që dëgjojnë klientët kur kanë nevojë për ndihmë teknike dhe tani, me sindikatën tonë, ne do të kemi një zë në organizimin e punës sonë.” – tha njëri prej drejtuesve të punëtorëve të Teleperfromance-s. “Themelimi i sindikatës sonë të re është një hap historik drejt rritjes së standardeve të punës në sektorin tonë. Punëdhënësit tanë duhet të nisin menjëherë negociatat për arritjen e një kontrate kolektive për të gjithë sektorin.”
Duke përmendur çështje si kushtet e punës në përkeqësim e sipër, ngarkimi abuziv i detyrave dhe praktikat e padrejta disiplinore, punëmarrësit e kompanisë gjigande franceze Teleperformance kanë nisur në vitin 2018 një fushatë të gjerë organizimi të të gjithë punëtorëve të sektorit.
Teleperformance-a është punëdhënësi më i madh global. Në Shqipëri 2000 e më shumë punëmarrësit e saj ofrojnë, në trajtë nënkontraktimi, shërbime klientësh për kompani si Amazon, Apple dhe Lottomatica. Kohë më parë kompania është gjobitur nga Ministria e Punës dhe e Çështjeve Sociale të Shqipërisë pasi punëtorët ishin ankuar për pagesat e paplota të sigurimeve shoqërore.
Punëdhënës të tjerë kyçë në këtë sektor janë Alba Call-i dhe IDS.
Përpjekjet organizuese të punëtorëve janë mbështetur nga Instituti për Kritikë dhe Emancipim Shoqëror (IKESH) dhe Sindikata Globale UNI, e cila është një federatë sindikale ku përfshihen 20 milionë punëtorë shërbimesh nga 150 vende të botës.
“Për shkak të zgjerimit të shpejtë të qendrave të kontaktit në Shqipëri, duhet të përpiqemi që në këto vende të reja pune kushtet e punës të jenë të mira dhe paga të jetë dinjitoze. Nuk mund të lejojmë që kompanitë nënkontraktuese si Teleperformance-a të minojnë standardet e punës së punëtorëve shqiptarë.” – tha përfaqësuesja e IKESH-it Bora Mema. “U bëjmë thirrje punëdhënësve të nisin një proces të ndershëm marrëveshjeje me sindikatën e punëtorëve.”
“Globalizimi i shërbimeve nuk duhet të nënkuptojë një garë globale drejt standardeve më të ulëta. Sindikata e re në Shqipëri do të jetë një prej efekteve domino në organizimin sindikal nëpër Evropë e më gjerë” – tha përfaqësuesja e Sindikatës Globale UNI Teresa Casertano.
Drejtuesit e sindikatave italiane të telekomunikimit SCL-CGIL dhe FISTel-CISL iu bashkuan homologëve të tyre në themelim.
“Nuk mund të mendojmë më vetëm për punëtorët italianë të qendrave të kontaktit dhe për kushtet e tyre të punës pasi jemi përpara një industrie globale. Problemet e punëtorëve në Shqipëri dhe Itali janë të lidhura ngushtë dhe e vetmja mënyrë për t’i përballuar këto probleme është një qasje shumëkombëshe.” – thanë Marco Del Cimmuto-ja dhe Giorgio Serao-ja në emër të sindikatave italiane SLC-CGIL dhe FISTel-CISL.