Instituti për Kritikë dhe Emancipim Shoqëror

Editorial i gazetës ” Universitari “, nr XXII

proteste-nikolla-dorehiquDorëhiqu!

Së pari, duam t’ju përgëzojmë si nënë. Si nënë, ju znj. Nikolla keni bërë më të mirën për vajzën tuaj: e keni çuar me studime në Paris.
Por ne që duam të arsimohemi në Shqipëri nuk ju shohim si nënë, por si Ministre e Arsimit.

Ju, si ministre e Arsimit, jeni katastrofë!

Ju, si ministre znj. Nikolla, jeni vënë në shërbim të plotë të interesave të disa universiteteve private. Këtyre bizneseve fitimprurëse të dijes, të këtyre bizneseve që rrjepin familjet e shqiptarëve me tarifat disa mijëra euroshe. Këto biznese private nuk mjaftohen me tarifat që iu marrin direkt studentëve, por tashmë me ligjin e ri duan edhe para publike. Jo vetëm tarifa mijëra euroshe, jo vetëm fonde publike, por sot klientela private e qeverisë vjedh pastër edhe studentët që me meritën e preferencën e tyre do shkonin në universitete publike.
Ju, si ministre znj. Nikolla, me udhëzimet dhe me 10 raundet e regjistrimit vratë ëndrrat dhe të ardhmen e maturantëve. Ju ministre Nikolla me vijën gri shkatërruat meritën e preferencën e mijëra maturantëve.

Ju shkaktuat panik masiv ministre Nikolla. Ju e kaluat vijën e kuqe!
Ju ministre Nikolla keni firmosur një skemë të korruptuar regjistrimi. Për këtë ne i bëjmë thirrje të hapur institucioneve të drejtësisë të hetojnë çfarë ka ndodhur me këtë skemë regjistrimi që ju e keni ndryshuar e firmosur 5 herë.

Ne kërkojmë edhe drejtësi shoqërore, edhe përgjegjësi publike: largohuni ministre Nikolla!

Dorëheqja juaj do të ishte jo vetëm mbajtje përgjegjësie, por edhe një shërbim për demokracinë, ku do të tregohej se qytetarët janë më të fortë se një ministre keqbërëse dhe një qeveri klienteliste.