Instituti për Kritikë dhe Emancipim Shoqëror

Kemi shumë arsye për të protestuar

Kemi shumë arsye për të protestuar dhe, kundrejt të gjitha etiketimeve që shoqëria ka për rininë, ne kemi guxuar të shprehim mendimin tonë duke protestuar ndaj vendime të padrejta.
Salca që njollosi Ministren e Arsimit nuk ishte mllefi im personal dhe as ka për të pasur ndonjëherë të tilla. Njollosja ishte forca dhe zëri i mijëra të rinjve që vuajnë padrejtësisht dhe u cenohet e drejta për t’u arsimuar.

Ata thonë që ne jemi pak, por në këto vite rezistence kemi treguar që jemi shumë, që jemi mbi të gjitha të vendosur. Numrat e shumësisë tonë gjenden në protestat e shumta që ka zhvilluar Lëvizja Për Universitetin, në peticione që i janë dërguar Ministrisë së Arsimit dhe që gjenden në ato dosje që ata nuk ua hodhën sytë. Kjo gjë është e pritshme sepse ata kanë sy dhe vesh për të parë e dëgjuar çfarë duan, por jo për të vërtetën. E vërteta është e hidhur, e duke na mbytur në të, ata e përflasin si arritjen më të madhe.

Ata thonë që ne nuk kemi të drejtë. Ajo që më vjen ndërmend kur dëgjoj të tillë përbaltje është se për cilat arsye ata do të na jepnin të drejtë, për cilat arsye do të na jepnin kurajë, kur kuraja jonë do iu lëvizte themelet mbi të cilin mbajnë pushteti.
Ata thonë që reforma është e suksesshme dhe kanë të drejtë. Kjo reformë është e suksesshme vetëm për qeverinë e cila ka vepruar për një interes të ngushtë privat, sepse qëllimi i saj është shkatërrimi i universitetit publik. Prandaj zbatimin e reformës në auditorë na mbetet ta ndalim vetëm ne universitarët.
Ata duan të na frikësojnë duke na mbajtur qelive të burgut, duke na përndjekur në çdo hap që bëjmë, duke na trajtuar si jo mjaftueshëm ekselentë, por shtypja dhe padrejtësia e tyre tashmë ka dalë sheshit. Aparati i tyre represiv nuk na frikëson, veç na shton guximin për të vazhduar përpara. Ta dini se ata janë shumë pak e ne kemi mjaftueshëm salcë për të gjithë.

Për ata që kanë pikëpyetje mbi veprimin tonë, dua të them se përpara sesa t’na sulmojnë, Lëvizjen Për Universitetin dhe mua si aktiviste të saj, mbase do ishte të pyesnin veten nëse ndihen të shfrytëzuar, të shtypur, të poshtëruar nga kasta politike 25-vjeçare. Nëse ndihen të tillë, zgjidhja nuk është sulmi ndaj nesh që përpiqemi me shumë sakrifica për ta ndryshuar sadopak situatën, por të na mbështesin dhe bashkërisht të bëjmë një shoqëri më të mirë. Përndryshe, do të vazhdojnë t’na nëpërkëmbin, kushdo nga partitë që do jetë në pushtet. Organizimi rreth njëri-tjetrit, në mënyrë sa më demokratike dhe të sinqertë, është e vetmja rrugë dhe e vetmja mënyrë që na jep forcë për të vazhduar.

Prandaj, kushdo që është i revoltuar me këtë situatë dhe ka vullnetin për t’u angazhuar e për ta ndryshuar, është i mirëpritur të na bashkohet e ta vazhdojmë këtë rrugë.

Nga Mirela Ruko

Botuar në numrin XXII të gazetës “Universitari”