Protesta e Punëtorëve të Fasonerisë “Altek sh.p.k” në Krujë: Një Shembull i Rezistencës dhe Fitores
Rreth 300 punonjës të fasonerisë “Altek sh.p.k” në Krujë nisën vitin e ri me protestë, pasi kompania refuzoi të aplikonte shpërblimin e fundvitit – një praktikë e ndjekur për më shumë se 20 vite. Ky vendim u mor pa asnjë paralajmërim, duke shkaktuar indinjatë tek punëtorët, të cilët bojkotuan punën sapo u rikthyen në fabrikë.
Pas dy ditësh pa reagim nga kompania, punonjësit vendosën të përshkallëzojnë protestën, duke dalë nga ambientet e fabrikës në oborrin e saj më 7 janar 2025. Brenda ditës, kompania paraqiti tre propozime për shpërblimin, të cilat parashikonin ndarjen e tij në këste, por asnjëri nuk u pranua nga punëtorët.
Dita e katërt u karakterizua nga tensione të shumta dhe qëndrime kontradiktore nga përfaqësuesit e kompanisë, të cilët deklaruan se shpërblimi nuk do të jepet, ndërsa mbanin të kyçura portat e fabrikës për të ndaluar daljen e punonjësve. Megjithatë, punëtorët qëndruan të palëkundur në kërkesën e tyre: puna do të rifillonte vetëm pasi të jepej shpërblimi.
Rezistenca solli fitore! Falë qëndresës dhe organizimit të tyre, kompania u detyrua të paguajë 60% të shpërblimit menjëherë, duke premtuar se pjesa e mbetur do të jepet deri në fund të muajit.
Ky është një shembull i shkëlqyer që dëshmon fuqinë e organizimit kolektiv. Ne përkrahim çdo përpjekje për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve dhe dënojmë çdo padrejtësi ndaj tyre. Kur punëtorët bashkohen, mund të fitojnë!