Instituti për Kritikë dhe Emancipim Shoqëror

Arsim falas dhe cilësor: Utopi?

E nisim me Herbert Marcuse-n: “Tingëllima jorealiste e këtyre tezave nuk flet për karakterin e tyre utopik, po për fuqinë e forcave që pengojnë realizimin e tyre.”[1]

Çfarë kërkon arsimimi cilësor? Rekrutimin e studentëve më të mirë të mundshëm, cilësinë më të lartë të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor dhe infrastrukturën më të mirë studimore.

E para, sa më të ulëta të jenë tarifat studimore (deri në zero), aq më i gjerë është pellgu i rekrutimit të studentëve. P.sh. për 100 vende do të hynin në konkurs jo 200 më të pasurit, por të 1000-të që do të donin të vazhdonin studimet universitare. Kësisoj 100-shja e fituesve – duke marrë të mirëqenë faktin se konkursi do të ishte i paanshëm – do të ishte më e mira e mundshme.

E dyta, si rritet cilësia e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor? Dikush mund të thotë “duke rritur rrogën dhe të ardhurat e tjera të pedagogëve”, çka do të kërkonte ose rritje të financimeve shtetërore për universitetet, ose rritje të tarifave studentore. Mirëpo kujt i punon mendja kaq shpejt, i punon edhe gabim sepse harron të kuptojë se puna pedagogjike dhe shkencore – ndryshe nga punë të tjera tjetërsuese – e motivon punonjësin edhe në vetvete, jo thjesht në këmbim të pagës. P.sh. të bësh punë marketingu është aq tjetërsuese ose “çartrapëse”, saqë kush shkon ta bëjë sigurohet paraprakisht se të paktën do të paguhet shumë. Nuk ka pse të ndodhë kjo me punën pedagogjiko-shkencore – ku të jetuarit brenda komunitetit universitar dhe rendja pas të vërtetës ta ngazëllen shpirtin, pa e vrarë shumë mendjen për rrogën (sigurisht brenda një kufiri normal të sigurimit të të mirave bazike). Kështu që cilësia pedagogjike dhe shkencore do të mund të nxitej duke kultivuar një komunitet universitar të gjallë, të përgjegjshëm brenda vetes dhe para shoqërisë, ku ligjëratat universitare dhe kumtesat shkencore do të qarkullonin lirisht në publik, ku kritika shkencore do të shihej si detyrë dhe jo hakërrim personal etj.

E treta është infrastruktura studimore. Këtu, duam s’duam, duhen para. Po a mund të sigurohen ato pa u rënë në qafë studentëve? Dikush do të propozonte komercializimin e hapësirave universitare: “të lë oborrin për reklamë brekësh, më pajis bibliotekën me libra”; “më fal ca mjete hulumtimi apo karrige, të vendos portretin në çdo klasë, paçka se para ca vitesh je dënuar si tutor prostitutash” etj. Secila prej tyre më shumë do ta tjetërsonte universitetin sesa do ta ndihmonte.

Kështu që mbetet shteti. Shtrohet pyetja: A ka vend për rishpërndarje pasurie në mënyrë që studentëve t’u garantohet arsimimi publik falas dhe të përmirësohet infrastruktura studimore? Dogma neoliberale na e përjashton edhe ekonomikisht këtë gjë (taksat duhen ulur vazhdimisht, përndryshe na mori lumi), edhe moralisht (do të na i rrisin të gjithëve për t’ua dhënë të paktëve – studentëve). Mirëpo, përtej ushtrimeve abstrakte, askush nuk di të thotë se pse rritja e taksave në sektorë të caktuar të ekonomisë – sidomos të bizneseve të luksit apo parazitare – do të sillte rënie ekonomike. Të tjerë sektorë (si p.sh. ai minerar apo telekomunikues) veprojnë në kushte oligopolistike, çka do të thotë se ka vend sa të duash për t’u marrë ca prej pasurive të shumta publike nga të cilat ato përfitojnë. Po ashtu, të tjerë sektorë parazitarë – si p.sh. universitetet private – nuk paguajnë tatim të vlerës së shtuar prej vitit 2009. Po ashtu, politikat serioze të punësimit (duke futur shtetin në lojë), do të rrisnin numrin e taksapaguesve (edhe punëtorit më të thjeshtë i tatohet paga).

Ama nuk bën të harrojmë edhe haraçin e përvitshëm të feudalëve postmodernë në krye të shtetit, i cili i kushton shoqërisë (sa? 10, 15 apo 20% të të ardhurave?). Haraçi në fjalë bëhet edhe më i madh po të ndjekim efektet e tij në shoqëri: diku prodhon shpunësim, diku pakësim të mundësive ekonomike, diku tjetër shkatërrim mjedisor, urban apo shëndetësor.

Të gjitha të mësipërmet kërkojnë një qeveri të pakapur për hunde nga biznesmenët e mëdhenj, inteligjente ekonomikisht dhe të guximshme politikisht. Ëndërr në diell ditët e sotme. Po jo edhe aq nëse e marrim seriozisht zgjerimin e lëvizjes universitare në sektorë të tjerë të shoqërisë, aty ku ka edhe më shumë dhunim, shfrytëzim e tjetërsim. Fuqia e mjaftueshme shoqërore e bën çdo qeveri të kërcejë nga belaja, në mos e hedh në kosh (jo vetëm në kuptimin metaforik të fjalës).

Shënime:
[1] Marcuse, Herbert. (2006). Njeriu njëdimensional. Përkth. G. Karakashi. Tiranë: Plejad, f. 29

Rreth mundësive për arsim falas dhe cilësor, shkrim nga pedagogu dhe aktivisti Arlind Qori.